Rikonstruksioni i nënstacionit elektrik të Kinostudios, OSSH hap tenderin 550 mln lekë
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes ka shpallur tenderin për rikonstruksionin dhe fuqizimin e nënstacionit elektrik të Kinostudios në Tiranë, një investim prej rreth 550 milionë lekësh që synon rritjen e kapaciteteve të furnizimit me energji elektrike.
Drejtoria e Tensionit të Lartë e OSSH sh.a ka çelur procedurën e prokurimit për rikonstruksionin e nënstacionit elektrik të Kinostudios. Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i projektit është 549.972.000 lekë.
Investimi parashikon transformimin e nënstacionit ekzistues 35/20/6 kilovolt në një nënstacion modern me nivel tensioni 110/35/20 kilovolt, duke rritur ndjeshëm kapacitetin e furnizimit me energji elektrike për një pjesë të rëndësishme të kryeqytetit.
Transformator i ri dhe linjë kabllore mbi 2 kilometra
Projekti përfshin instalimin e një transformatori të ri me fuqi nga 40 deri në 50 megavolt-amper, si edhe vendosjen e pajisjeve moderne të komandimit, mbrojtjes dhe telekomunikacionit.
Punimet do të realizohen brenda hapësirave ekzistuese të nënstacionit, ndërsa furnizimi me energji elektrike për konsumatorët do të vijojë pa ndërprerje gjatë gjithë periudhës së zbatimit të investimit.
Në kuadër të projektit do të ndërtohet edhe një linjë e re kabllore 35 kilovolt, me gjatësi mbi 2 kilometra, që do të lidhë nënstacionin e Kinostudios me zonën e Linzës. Sipas dokumentacionit teknik, kjo ndërhyrje synon të zëvendësojë linjat ekzistuese, të cilat ndër vite janë dëmtuar dhe janë bërë të vështira për mirëmbajtje për shkak të ndërtimeve pa leje pranë shtyllave të tensionit të lartë.
Përmirësim i furnizimit dhe ulje e humbjeve në rrjet
Dokumentet e tenderit parashikojnë që nënstacioni të pajiset me sisteme të avancuara monitorimi dhe komunikimi, në përputhje me standardet më të fundit teknike.
Sipas OSSH, investimi do të rrisë kapacitetet e shpërndarjes së energjisë elektrike, do të përmirësojë cilësinë e furnizimit për familjet dhe bizneset, do të ulë humbjet teknike në rrjet dhe do të reduktojë ndërprerjet e energjisë elektrike.
Investimi diktohet nga zgjerimi urban i Tiranës
Në dokumentacion theksohet se nevoja për rikonstruksionin e nënstacionit lidhet me zhvillimin e shpejtë urban të Tiranës, veçanërisht në zonën e Bulevardit të Ri, verilindje të kryeqytetit dhe lagjet e reja të banimit.
Nënstacioni aktual, i ndërtuar në vitet '70, nuk është më në gjendje të përballojë kërkesën në rritje për energji elektrike, pavarësisht ndërhyrjeve modernizuese të realizuara gjatë vitit 2021.
Pas përfundimit të projektit, nënstacioni i Kinostudios do të integrohet më mirë me nënstacionet e tjera të Tiranës, duke rritur sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike për një pjesë të konsiderueshme të qytetit.